Në kuadër të ditës së talasemisë në disa qarqe të vendit është zhvilluar një aksion sensibilizues për të mbledhur gjak për nevojat që kanë talasemikët. Në gjithë Shqipërinë janë rreth 200 mijë mbartës të talasemisë, pjesa dërrmuese e këtyre pacientëve vihen përballë kushteve të vështira, pasi jetesa e tyre është e varur nga transfuzionet e gjakut, të cilat në të shumtën e rasteve shfaqen në mungesë.
Por numri i madh i talasemikëve është në zonat e Lushnjes, Fierit, Elbasanit. Edhe pse jemi në vitin 2018 nevojat për gjak janë shumë të mëdha. Nuk janë të pakta rastet e alarmeve të lëshuara nga Shoqata e Talasemikëve për vështirësitë e shfaqura në shëndetin e këtyre pacienetëve si rrjedhojë e mungesës së gjakut.
Pjesa më madhe e gjakut shpesh mblidhet me anë të aksioneve sensibilizuesa. Në Qarkun e Fierit janë mbi 200 të prekur nga talasemia, të cilët kërkojnë vazhdimisht gjak. Drejtori i bankës së Gjakut në Fier, Dashamir Banaj shprehet se:
Nevojat janë të mëdha, por numri i dhuruesve është shumë i vogël. Situata e gjakut në spitalet rajonale të Fierit nuk është nga më te mirat e mundshme, dhurimi vullnetar duhet bërë në çdo kohë, në çdo moment, pasi të sëmurët talasemikë në zonat rajonale të qytetit tonë kanë nevojë për sasi të konsiderueshme gjaku, pasi kërkesat janë shumë herë më të mëdha nga rezervat që ne sigurojmë.
Dashamir Banaj, Shefi i bankës së gjakut Fier