Ekskluzive/ Ja paratë që fitoi nga dasmat gjyqtari Hoxha dhe dekleratat e pasurive në 15 vite

2018-05-15 0

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka arritur në konkluzionin se anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha, nuk justifikon blerjen e një parlamenti me vlerë 140 450 euro me burime të ligjshme. Avokati i gjyqtarit, Julian Mërtiri, pretendon se Hoxha e ka blerë apartamentin me borxhe, kredi me kushte lehtësuese, shitjen e një banese si dhe me para të mbledhura në dy dasma tradicionale.

Shqiptarja.com verifikoi deklaratat e pasurisë së anëtarit të Kushtetueses nga viti 2003 deri në vitin 2017. Referuar deklaratave të pasurisë, gjyqtari, në vitin 2003, deklaron një depozitë kursimi me vlerë 650 000 lekë. Hoxha thotë se nga kjo shumë, 330 000 lekë i ka depozituar në vitin 2003, kohë me të cilën përkon me dasmat që pretendoi dje avokati i tij, ndërsa 320 000 lekë janë depozituar në vitin 2004.

Për asnjërën nga këto shuma, në deklaratën e pasurisë, nuk referohet burimi i krijimit, por 15 vjet më vonë, avokati i Hoxhës, thotë se gjyqtarit i kanë hedhur shumë para në dy dasma. Kjo depozitë deklarohet pikërisht në vitin kur gjyqtari, deklaron një shtëpi banimi me sipërfaqe 65 m2, në Shkodër, të blerë nga paga dhe një kredi. Shtëpia ka kushtuar 1.7 milionë lekë, ku pikërisht në vitin 2003, gjyqtari deklaron 3 350 euro të palikuiduara. Shtëpinë në Tiranë, anëtari i Kushtetueses e ka blerë në vitin 2011.

Ndërsa shtëpinë në Shkodër, me të cilën justifikon një pjesë të parave për të blerë shtëpinë në Tiranë, gjyqtari deklaron se e ka shitur në vitin 2014, me vlerë 3 400 000 lekë. Për të justifikuar vlerën e apartamentit në Tiranë, Hoxha deklaron një kredi 5 000 000 me kushte lehtësuese si dhe 28 mijë euro hua një shtetasi. Megjithatë, komisioni i Vetingut, pas një hetimi të theluar, thotë se gjyqtari nuk e justifikon blerjen e apartamentit.

Që nga viti 2003 dhe deri në vitin 2017, gjyqtari Hoxha deklaron si të ardhura vetëm pagën e tij dhe pagën e bashkëshortes. Madje, bashkëshortja nga viti 2004 deri në vitin 2012, nuk deklaron pagë. Një vit pasi Hoxha emërohet në Gjykatën Kushtetuese, bashkëshortja deklaron të ardhura nga paga pranë komisionerit për mbrojtjen e diskriminimit. Gjyqtari Hoxha, përpos apartamentit, nuk posedon asnjë pasuri tjetër të paluajtshme.

Free Traffic Exchange