Report TV - Ekstradimi i Izet Haxhisë në dorë të ministrit turk të drejtësisë

2018-05-15 0

Izet Haxhia nuk do ekstradohet nesër në mbrëmje në Shqipëri, ndryshe nga sa raportuan mediat më herët. Mbi ish-truprojën e Berishës rëndon dënimi me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

Avokati i Haxhisë, Fran Dashi i qëndron deklaratave të mëparshme për nisjen e procedurave për ekstradimin e Haxhisë, i cili ka kërkuar që të vijë në Shqipëri dhe do të kërkojë rihapjen e procesit Hajdari, por nuk bëhet e ditur konkretisht se kur Izet Haxhia do prekë tokën shqiptare. Në intervista të mëparshme Izet Haxhia ka deklaruar se ka prova të forta që implikojnë personazhe të rëndësishëm në vrasjen e Azem Hajdarit mes tyre dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Më herët Haxhia ka kërkuar garanci nga autoritetet shqiptare për zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të rregullt gjyqësor. Izet Haxhia prej dy javësh qëndron në polici dhe nëpërmjet rrjetit Facebook ai njoftoi se po vetëdorëzohej në polici për t'u ekstraduar në atdhe.