Tahiri, brenda javës në Prokurori - News, Lajme - Vizion Plus

2018-05-15 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Tashmë që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri la zyrtarisht mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prokuroria e Krimeve të Rënda do ta thërrasë për të dëshmuar brenda kësaj jave.



Burime pranë organit të akuzës konfirmuan për Vizion Plus se ish-ministri i brendshëm do të pyetet për lëvizjet e tij në Itali dhe Greqi, gjatë viteve 2014-2015.



Sipas Prokurorisë së Krimeve të rënda në të dyja udhëtimet, ai ka përdorur automjetin tip ?Audi?, të cilin ua kishte shitur Habilajve, përpara se të emërohej ministër.



Nga provat e administruara prej prokurorisë ish-ministri gjatë kohës që ka qenë në detyrë ka përdorur ?Audin? me targa të pandryshuara në këto udhëtime. Nga ana tjetër, nuk konfirmohet nëse Prokuroria do të kërkojë në gjykatë vlerësim mase arresti apo do të vijojë me hetimin në gjendje të lirë.



Deri më tani Tahiri ka rimarrë pasaportën e bllokuar me kërkesë të Prokurorisë, pasi Apeli argumentoi se ai nuk rrezikonte të largohej për shkak edhe të funksionit të deputetit që mbante, por tashmë Prokuroria mund të kërkojë sërish bllokimin e saj si masë paraprake.



Ish ministri i brendshëm është nën hetim për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Prokuroria dyshon se ai ka favorizuar trafikun nga grupi i Habilajve që kishte lidhje edhe me grupe të tjera në zonën e Vlorës dhe Fierit.



Emri i Saimir Tahirit doli fillimisht në dosjen e prokurorisë së autoriteteve italiane të Katanias ku Tahiri përmendej nga Habilajt si person me imunitet.



Bashkë me ish-ministrin e brendshëm ne hetim është edhe Orest Sota, i cili ndonëse u lirua, Prokuroria dyshon se paratë e gjetura në automjetin e tij janë të ish-ministrit. Për dosjen ?Tahiri-Habilaj? janë pyetur në Prokurori edhe truproja si dhe dy shoferët e tij.