Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e djeshme në Borizan të Fushë-Krujës ku një person u gjet i djegur brenda një makine. Nga trupi i viktimës janë marrë pak prova, për shkak se ai ishte i karbonizuar plotësisht. Dyshimet e para të ekspertizës janë se ai është qëlluar më parë në kokë dhe më pas është djegur brenda mjetit, por përgjigja përfundimtare nga laboratori ende nuk është zbardhur.
Report Tv ka siguruar edhe foton e viktimës, i cili nga publikimet në faqen e tij në Facebook duket se lëvizte shpesh në drejtim të Shqipërisë, pasi ka postuar foto nga Durrësi, Saranda dhe qytete të tjera. Sot në Fushë-Krujë kanë mbërritur edhe vëllai dhe nipi i 61 vjeçarit Xhafer Osmanit, të cilët kanë dhënë detaje shtesë për grupin hetimor. Nipi i viktimës ka pasur edhe kontaktin e fundit me xhaxhanë, i cili i kishte thënë se do të ikte për një ditë në Shqipëri për të mbyllur një punë. Por prej tre ditësh, ka pohuar nipi para grupit hetimor, kishin humbur çdo kontakt me 61 vjeçarin.
Lëvizja e Osmanit drejt Shqipërisë është konfirmuar edhe në sistemin TIMS, ku ky person me makinën e tij tip ?Volkswagen Turan?, është regjistruar në pikën kufitare të Morinës, në datën 29 prill 2018. Ndërsa në vendin e ngjarjes, policia ka krehur të gjithë zonën si dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë së një karburanti aty pranë.
Ditën e ngjarjes, kamerat kanë fiksuar një person që blen një shishe benzinë në karburant dhe largohet prej aty. Por grupi hetimor ka arritur të gjejë personin e dyshuar dhe ka konfirmuar se ai nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi ka pasur alibi që mohon përfshirjen e tij.