Bushati takon Kotzias ne Selanik

2018-05-15 0

Rezultatet e takimit të parë të grupit negociator shqiptaro-grek, dy ministrat e Jashtëm Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias i kanë analizuar në një takim që kanë patur në Selanik ku po zhvillohet takimi i 3 ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë. Pas takimit, Bushati ripërsërit optimizmin për finalizimin e një marrëveshje të re për kufirin detar, që siç thotë, do të jetë më e mirë se ajo e 2009 dhe më e mirë për të dy vendet.

"Mendoj se jemi përballë një situate të favorshme ku ekzistojnë mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të shkojnë drejt një marrëveshje të re, e cila do të jetë e mirë për të dyja vendet, dhe mbi të gjitha një marrëveshje që do të jetë e zbatueshme për të dyja vendet".

Ecuria pozitive e bisedimeve u konfirmua edhe në një deklaratë për shtyp të ministrit të Jashtëm grek, Kotzias.

"Me Shqipërinë jemi në një proces për të zgjidhur problemet tona dypalëshe. Ka një marrëveshje, është ende e hapur, shpresojmë se do ta mbyllim deri në fund të muajit. Ato që kemi para nesh janë disa çështje praktike".

Nga paketa e çështjeve që kërkojnë zgjidhje, është dhe ligji i luftës dhe kufiri tokësor ndërsa është arritur dakordësia për njohjen e patentave të automjeteve.

Bushati lajmëron një takim tjetër me homologun grek brenda pak ditëve, ndërsa brenda 15 Majit pritet të mbahet dhe raundi i dytë i negociatave, këtë herë në Athinë.