Report TV - Shifrat e pagave/ Shqiptarët paguhen mesatarisht me 380 euro në muaj me pagë bruto

2018-05-15 2

Paga mesatare e shqiptarëve gjatë vitit të kaluar ka qenë 380 euro, sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave. Në këtë mënyrë, në rajon vetëm Kosova dhe Maqedonia ka pagë mesatare më të ulët, ndërkohë që gjithë vendet e tjera e kanë më të lartë, madje edhe Bosnja. Pagat mesatare më të larta në rajon i ka Sllovenia dhe Kroacia. Të dhënat e Institutit Statistikor të Sllovenisë tregojnë se në fund të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në Slloveni u rrit në 1.062 euro. Pas Sllovenisë radhitet Kroacia, ku sipas të dhënave të fundit, paga mesatare është rreth 835 euro.

Sipas Agjencisë së Statistikave, paga mesatare mujore neto në Bosnje dhe Hercegovinë në dhjetor të vitit 2017 ishte 440 euro, ku nominalisht ishte më e lartë për 0.6 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm dhe me 1.1 për qind më e lartë në krahasim me muajin dhjetor 2016. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Serbisë, paga mesatare neto në dhjetor 2017 arriti në 459 euro, ndërkohë që Mali i Zi, e kishte pagën mesatare në muajt e fundit të vitit 2017 512 euro.

Ndërkaq, të dhënat e Aleancës Kosovare të Bizneseve tregojnë se paga mesatare në Kosovë për vitin 2017 ishte 363 euro, shifër që tregon për pagë më të ulët mesatare në rajon, kurse të dhënat e Entit të Statistikave të Maqedonisë tregojnë se në nëntor të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në këtë vend arriti në 377 euro, gati barabar me Shqipërinë.

Free Traffic Exchange