Shteti shqiptar humbet 70 milionë dollarë ose rreth 7 miliard lekë nga pushimet e padrejta nga puna. Është kjo shifra e publikuar nga drejtori e drejtori ekzekutiv i INFOCIP, Gert Shella, i ftuar në emisionin "45 minuta" në Report Tv.
Sipas tij, 80% e gjyqeve në Gjykatën Administrative, janë fituar nga punëmarrësit e shkarkuar nga detyra dhe kjo ka bërë që fatura financiare në ngarkim të buxhetit të shtetit të jetë kolosale, pasi në jo pak institucione paguhen deri në tre paga për të njëjtin pozicion.
Në vitin 2016 Gjykata Administrative dha 3 893 vendime për çështje themeli. Prej tyre 2257 ose 58% e totalit ishin çështje që preknin marrëdhëniet e punës dhe sigurimet shoqërore përfshirë pensionin e ushtarakëve.
Në Gjykatën e Lartë të RSH në vitin 2016 nga 706 vendime të marra 62% ose 437 ishin çështje pushimi të padrejtë nga puna dhe pensionet e ushtarakëve.
Në vitin 2017 Gjykata e Lartë, Kolegji Administrativ dha 900 vendime. Në vlerësimin paraprak rezulton qe te paktën 60% e çështjeve që po analizon INFOCIP janë çështje problematike pune. Nga vlerësimet e deritanishme rezulton se në 83% te rasteve te analizuara shteti humb gjyqet me personat e pushuar nga puna. Të dhënat janë të vitit 2015, 2016 dhe 2017. Një shifër në përmasat e një skandali, shteti veçse prodhon konflikt në dyert e gjykatave, nga ana tjetër është humbësi më i madh i pushimeve të padrejta nga puna.
Shteti me veprimet ose mosveprimet është shkaku i humbjes tonë të përbashkët, sepse këto humbje kanë pasur një faturë financiare, pagimin e një viti, ose dy vitesh të plota për punonjësin që ka fituar në gjykatë. Por ka edhe shpenzime gjyqësore, kemi një rrethanë ku për të njëjtin vend pune, dhe për këtë kemi prova, mund të ikemi 1, 2, ose tre individë që kanë fituar gjyqin dhe shteti paguan 3 paga për të njëjtin pozicion pune.
Gert Shella, drejtor ekzekutiv i INFOCIP