Nis verifikimi i tokave ne bregdet

2018-05-14 0

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur nga puna për verifikimin e shkeljeve që janë bërë me tokat në bregdet gjatë këtyre viteve. Nga Spilleja, ku u bë pjesë e aksionit të pastrimit, Ministri Klosi vuri në dukje se abuzimet kanë sjellë pengesë në zhvillimin turistik.

"Po prekim nga afër këto zona me potencial të madh turistik, që siç e shikojmë edhe nga ndarja në parcela të manipuluara po e bën të pamundur zhvillimin e zonës. Jemi në fazën e verifikimit të shkeljeve që kanë ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve me tokat në bregdet. Është e pafalshme që kjo zonë akoma nuk ka një zhvillim të vërtetë turistik. Nuk ka hotele të vërteta për të mirëpritur qindra mijëra turistë, nuk ka biznese, të cilat të mbështesin këtë lloj turizmi, pasi realisht e gjithë kjo situatë vjen nga problematika me tokën".

Ministri Klosi ritheksoi gjithashtu vendimin e qeverisë për të mos lejuar asnjë biznes që të zhvillojë veprimtari në sezonin turistik, në qoftë se nuk ka zgjidhje përfundimtare të ujërave të zeza.