Report TV - Nishani: Llalla më tha se Vlahutin i kishte kërkuar arrestimin e Berishës

2018-05-14 0

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka zbuluar bisedën me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke deklaruar në emisionin "5 Pyetje nga Babaramo", në Report Tv, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, i ka kërkuar Llallës arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Nishani theksoi se ka qenë ish-kryeprokurori Llalla që ja ka dhënë këtë informacion në zyrën e tij, por në një takim të menjëhershëm me ambasadoren Vlahutin, kjo e fundit e ka mohuar kategorikisht. Pas takimit me Vlahutin, ish-Kreu i Shtetit tha se është takuar sërish me Llallës, i cili i ka qëndruar deklaratës së tij se Vlahutin ka kërkuar arrestimin e Berishës.

Deklarata e Berishës për Vlahutin, se i kishte kërkuar Llallës arrestimin e tij, e konfirmoni?
Po, është e saktë. Kam qenë unë që e kam vënë në dijeni Berishën. E kam pasur këtë informacion dhe nga burime të tjera. Llalla ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se gjatë një bisede, rreth një muaj apo dy pas bisedës, ku i ishte kërkuar nga Vlahutin pse nuk arrestohet Berisha. Më tej, argumentet shpjeguese, sipas Llallës, kanë qenë që Prokuroria nuk mund të arrestojë njerëz për të cilët nuk ka prova dhe fakte.

Ishte një bisedë që më shqetësoi dhe nuk mund ta lija në heshtje, pasi bëhej fjalë për një bisedë tërësisht jashtë kontekstit që ka ambasadorja. Kërkova takim me Vlahutin, i shpreha shqetësimin që mora nga Llalla. Ajo e mohoi kategorikisht që të ketë bërë një bisedë të tillë me Llallën. Në radhë të parë vura në dijeni Vlahutin, që e mohoi. Bëra takim tjetër me Llallën, e vura në dijeni që bisedën e ndava me Vlahutin dhe i thashë që ajo e mohon. Llalla i qëndroi edhe pas takimit të dytë.

Free Traffic Exchange