Report TV - Veliaj: Në Tiranë ka mbi 22 tregje ku mund të shitet, trotuaret janë për nënat me fëmijë

2018-05-14 0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh sot se kryeqyteti është shumë herë më i pastër nga ç?e gjetëm në 2015-ën, por ka ende punë për të bërë, sidomos në mentalitetin e shoqërisë për të mos nxjerrë gjithçka në rrugë. Ai tha se çdo ditë, punonjësve të bashkisë u duhet një sforco e madhe për të mbajtur Tiranën pastër dhe për të vendosur rregull në rrugët e qytetit, të cilat shpesh zihen nga tregtarët e fruta-perimeve.

Çdo ditë ndërmarrjes sonë të pastrimit i duhet të pastrojë trotuaret e të lirojë rrugët. E di që ka njerëz që me të drejtë thonë: po unë ku do shes? Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka mbi 22 tregje ku mund të shiten fruta-perimet, por ama duhet ta ndajmë: hyrjet e pallateve janë për të banuar, rruga dhe trotuari për të ecur, parku është për të pushuar dhe luajtur, kurse tregu është për të shitur. Nëse ndonjëri nga ju më tregon ndonjë qytet në botë i cili ka lulëzuar dhe pasuruar nga njerëzit që shesin përtokë, ma thoni dhe eja ta bëjmë Tiranën ashtu!

Kryebashkiaku Erion Veliaj
Ai shtoi se nëse e duam Tiranën si kryeqytetet e Evropës, duhet që trotuaret të jenë të lira, që nënat me karrocë të kalojnë lirshëm.

Ambicja jonë nuk është ta bëjmë Tiranën si Kalkuta, me njerëz të shtrirë përtokë. Nëse e duam si BE, do ta bëjmë si në Evropë dhe nuk ka nevojë fare për histeri, për sa kohë që Bashkia ka tregje dhe do të duhet t?i mbajmë trotuaret e lira, që nënat apo gjyshet me karrocë fëmijësh të kalojnë lirisht, që si në çdo qytet evropian t?i ndajmë hapësirat.

Kryebashkiaku Erion Veliaj