Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi me akuza ndaj qeverisë për varfërinë, krimin, korrupsionin, çështjen "Tahiri" si dhe iu rikthye edhe marrëveshjes së 18 majit, fjalimin e tij përpara delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD ku do miratohen ndryshimet statutore, por për herë të parë pranoi se demokratët dështuan në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Basha tha se gabimet për humbjen ishin të atij dhe për to, tha ai, mori përsipër përgjegjësitë.
Por pavarësisht ndjesës publike, Basha tha se në humbjen e PD ndikoi edhe marrëveshja e 18 majit e imponuar sipas tij nga ndërkombëtarët. Megjithatë, një nga pikat që ngjalli debate gjatë diskutimeve në Kuvendin Kombëtar ishte neni që i jep Bashës pushtet të pakufizuar, ai mund të shkarkojë kë të dojë.
Unë qëndroj sot para jush thellësisht mirënjohes, për mbështetjen tuaj. Kjo mbështetje ma ka bërë edhe më të madhe keqardhjen që nuk ia dolëm të ishim sot ne partia që drejton vendin. Unë kam bërë gabimet e mia, për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time.
Nuk dua ta zbeh këtë përgjegjësi, por çdo gjë që kam bërë e kam bërë me qëllimin për t?i shërbyer njerëzve, i bindur për problemet dhe rreziqet që u kanoseshin atyre dhe vendit.
Jam i vetëdijshëm për gabimet e mija, të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshim. Kam diskutuar për to me mijëra demokratë gjatë muajve të fundit?kam dëgjuar mendimet e tyre, kam pranuar kritikat e tyre, kam gjetur mirëkuptimin dhe kam marrë mbështetjen e tyre.
Përvoja është një mësuese e dashur, thoshte Benxhamin Frenklin. Unë kam besimin se së bashku me ju, duke mësuar nga gabimet, do ta fuqizojmë partinë tonë dhe ta bëjmë atë fituese. Partia Demokratike është shpresa e vetme për shqiptarët në këto kohë të vështira për vendin.
Lulzim Basha, kryetar i PD