Pas debateve në Kryesi dhe në Këshillin Kombëtar, këtë të diel kryedemokrati Lulzim Basha mbledh organin më të lartë partiak, Kuvendin Kombëtar për të vulosur përfundimisht ndryshimet në statut. Report Televizion ka zbardhur axhendën e kësaj mbledhjeje të rëndësishme të demokratëve. Kuvendi Kombëtar i PD nis në orën 10:00 dhe është ndarë në dy pjesë.
Pjesa e parë i është dedikuar fjalimeve, ndërsa pjesa e dytë do të jetë debati mbi dokumentin me parashikimet statutore dhe votimi final i ndryshimeve. Burime të Report TV kanë bërë të ditur se në mbledhjen e organit më të lartë të PD do të risillet edhe një herë çështja e protestës së kuksianëve, zhvilluar gati një muaj më parë.
Tashmë jo në formë proteste por me një fjalim të një përfaqësuesi. Gjithashtu, axhenda parashikon nga një fjalë të një përfaqësuesi nga shtresa e të persekutuarve, një nga të përjashtuarit nga skema e ndihmës ekonomike dhe një fjalë nga një anëtar i vjetër i PD. Mbyllja pa surprizë i rezervohet kryedemokratit Lulzim Basha.
Ndërkaq, statuti aktual i Partisë Demokratike nuk parashikon pjesëmarrjen e ish-deputetëve apo figurave të vjetra të Partisë Demokratike. Po të njëjtat burime kanë saktësuar se, në PD kanë konfirmuar pjesëmarrjen ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj dhe rivali i Lulzim Basha për kreun e PD vitin e kaluar, Eduard Selami. Selami dhe Evdin Kulluri do të flasin në Kuvendin e PD.