KAMEZ- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja kriminale që tronditi mbarë opinionin publik, ku u vra shtetasi Agim Buci gjatë një tentative grabitjeje në minimarketin e tij. Një ditë më parë, policia zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy autorët e krimit, Vladimir Kurtin dhe Rruzhdi Hoden, ndërsa Report Tv mëson sot se polumbarët vijojnë kërkimet në Lumin e Tiranës për gjetjen e pistoletës së përdorur në krim.
Gjithashtu, burimet i thanë Report Tv se të dy autorët kanë pranuar krimin para policisë. Nga hetimet bëhet e ditur se plani për grabitjen e marketit, ku u vra 52-vjeçari dhe u plagos bashkëshortja e tij, Merita Buci, është ideuar nga Vladimir Kurti, i cili jeton pranë banesës së familjes Buci, në rrugën ?Beslidhja?, në Kamëz.
Mësohet se 28-vjeçari e kishte piketuar dyqanin e familjes Buci, pasi kishte parë se në mbrëmje aty kishte pak lëvizje dhe pak ndriçim dhe zakonisht shërbente vetëm gruaja, pasi bashkëshorti i saj punonte në një kompani interneti.
Pas kësaj, i riu ka kërkuar dhe ndihmën e shokut të tij, Rruzhdi Hode, i cili jeton në periferi të Kamëz, ku ky i fundit kishte si detyrë të mbështeste Kurtin në veprime dhe të bënte transportin me mjetin e tij Volswagen.
"Ladi më tha hajde me mua, marrim çfarë të gjejmë dhe i ndajmë bashkë. Unë vetëm e çova me makinë, nuk kam asnjë faj. Nuk e dija se do qëllonte?, mësohet të ketë thënë Hode para uniformave blu.