Demokratët mbledhin të dielën Kuvendin Kombëtar për të miratuar ndryshimet e reja statutore që morën pak ditë më parë aprovimin e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
Mbledhja do të nisë me fjalime nga ana e qytetarëve për pakënaqësitë ndaj qeverisë dhe përpara hedhjes në votim të ndryshimeve statutore nga 7500 delegatët, Lulzim Basha do të prezantojë tezat për rikthimin e PD në një alternativë qeverisëse.
Forumi më i lartë drejtues i kësaj force politike do të bojkotohet nga ish-figurat e rëndësishme të Partisë Demokratike, të cilët e humbën mandatin e delegatit në Kuvendin Kombëtar pas përjashtimit nga lista e kandidatëve për deputetë nga kryetari Basha.
Ftesën e kanë refuzuar dy ish-nënkryetarët e PD-së, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, si dhe ish-ministrat Bode e Bregu. Të vetmit kritikë të Lulzim Bashës që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë Eduard Selami dhe Besnik Mustafaj. Selami e akuzon Bashën se e ka rrëmbyer partinë, ka aftësi të kufizuara politike dhe është gënjeshtar serial. Ndërsa Arben Imami është shprehur se do të jetë i pranishëm, nëse do të lejohen diskutime, në të kundërt do ta bojkotojë atë.
Kritikët e Lulzim Bashës kërkuan dorëheqjen e kryetarit kur ai humb zgjedhjet dhe mosrikandidimin e tij kur e çon në humbje partinë në dy procese elektorale radhazi. Por ky propozim i tyre u rrëzua në Këshillin Kombëtar.
Tv Klan