Ndryshime në qeveri? Rama: Në shtator analizë dhe shohim, beteja me opozitën si Reali me Vaqarrin

2018-05-14 0

TIRANE-Kryetari i PS, Edi Rama ka qenë mjaft i ashpër me kryetarët e degëve të PS, deputetët, kryebashkiakët e zgjedhur nga e majta dhe ministrat duke u bërë një ?dush të ftohtë? në Asamblenë që u zhvillua sot në kryeqytet. Një vit para zgjedhjeve lokale, Rama ka qenë i prerë duke kërkuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet, ndërsa të gjithë ata që janë indiferentë do të largohen.

Shefi i qeverisë deklaroi se sipas sondazheve nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, PS do të fitonte sërish përballë opozitës, por kjo nuk duhet të jetë arsye për vetëkënaqësi, përkundrazi. Kryeministri paralajmëroi se nëse nuk do të ketë reflektime dhe arritje të objektivave, në shtator mund të ketë ndryshime në qeveri.

Duke u ndalur te ministrat, Rama tha se në shtator do të bëjë një vlerësim se kush janë ata që duhet të largohen nëse nuk kanë bërë detyrën, por edhe anëtarët e kryesisë dhe sekretariatit, ndërsa shtoi ministrat që janë edhe drejtues qarqesh, do të vlerësohet nëse do i mbajnë të dy postet.

E njëjta gjë edhe për kryetarët e partive në rrethe, që sipas tij kanë bërë punësime të fisit në administratë. Rama e mbylli fjalën duke paralajmëruar se do të ketë një votëbesim popullor për të gjithë kryebashkiakët e PS nëse do të rikandidohen në zgjedhjet lokale të 2019.

Ne do të vlerësojmë çfarë ndryshimesh mund të bëjmë në qeveri në shtator, se cilat ministri nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje. Do të shikojmë emrat në Kryesi, sekretariat dhe kryetarët e partisë që do të largohen nga drejtimi në të gjithë vendin dhe detyra kryesore është bashkëqeverisja. Votëbesim popullor për të gjithë kryebashkiakët e PS.