Report TV -Tentativë grabitje në Kamëz, një i vdekur dhe një i plagosur

2018-05-14 0

Një tentativë grabitje me armë zjarri ka përfunduar me një të vdekur dhe një të plagosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së sotme. Viktima është Agim Buçi 52-vjeç, ndërsa e plagosur ka mbetur gruaja Merita Buçi 44-vjeçe.

Çifti kishte një minimarket në rrugën ?OSBE? në Kamëz, ndërsa mbrëmjen e sotme persona të armatosur dhe maskuar kanë tentuar t?i grabisin. Agresorët janë futur në minimarket duke u drejtuar armën dhe kërcënuar që të dorëzonin xhiron ditore, por hasën në kundërshtimin e pronarëve.

Agim Buçi bashkë me gruan janë përleshur me autorët, ndërsa këta të fundit i kanë qëlluar me armë zjarri duke i plagosur. Pas të shtënave autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa gruaja ka kërkuar ndihmë.

Agim Buçi është nisur me urgjencë në spital për ndihmë, por ka mbërritur i vdekur duke mos u mbijetuar plagëve që mori, njëra në gjoks, ndërsa gruaja ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga të dhënat e para, mësohet se Merita Buçi ka një plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin që autorët kanë vendosur që të grabisin minimarketin kanë përfituar nga fakti që nuk kishte shumë lëvizje për shkak të ndeshjes së Champions Leagues, ndërsa zona nuk kishte ndriçim.

Policia njofton se ka ngritur pika kontrolli në çdo rrugë dhe hyrje - dalje të Kamzës e në pika të tjera, ndërsa vazhdon krehja e zonës dhe kontrolli i territorit për të kapur autorët. Sipas dëshmive të banorëve, autorët janë larguar me një makinë të zezë tip BMW, ndërsa dyshohet se mund të kenë shkuar në drejtim të Fushë Krujës. Ndërkohë që janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët e ngjarjes.