Në kuadër të një turneu treditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, zhvilloi sot një vizitë në Shqipëri, ku është pritur në ceremoni te "Pallati i Brigadave" nga kryeministri Edi Rama.
Qëllimi i vizitës është përgatitjet e samitit BE-Ballkan që mbahet në Sofje më 17 maj. Pas takimit kokë më kokë, kryeministri Edi Rama dhe kreu i qeverisë së BE, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku në fokus ishte padyshim rekomandimi i KE për çeljen e negociatave. Rama tha se pret nga BE vendimin e shumëpritur, atë të çeljes së rrugës së anëtarësimi në BE, duke e konsideruar këtë si interes kombëtar.
Të gjithë shqiptarët presin me padurim të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të kemi sa më parë të jetë e mundur, mbështetjen e plotë e të gjitha vendeve anëtare për këtë rekomandim. Ne rekomandimin e cilësojmë si përfundimin e një faze dhe çeljen e një faze të re, më sfiduese edhe më të vështirë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Nga ana tjetër, jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat dhe vështirësitë që na presin në këtë proces, ashtu sikurse kemi bindjen e plotë se këto sfida dhe vështirësi janë të kapërcyeshme vetëm përmes këtij procesi bashkëpunimi dhe ndërveprimi që deri tani na ka sjellë në këtë pikë mes vendit tonë, Komisionit dhe vendeve anëtare të BE.
Për ne ky proces lidhet me të ardhmen e vendit tonë, me ndërtimin e gjeneratave të ardhshme dhe detyrimin për të ndërtuar Shqipërinë evropiane këtu në Shqipëri. Është një proces që kërkon durim, kohë, një proces jo vetëm sa na e kërkojnë të tjerët, por një proces se na e kërkon interesi kombëtar. Ky proces transformues për rajonin është i lidhur me perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.