Fabrika riciklimit të mbetjeve ?Everest. IE? në Kashar u përfshi nga flakët mëngjesin e të kësaj të diele, duke u shkrumbuar tërësisht.
Flakët përfshinë fillimisht repartin e makinerive, ku ndodhej një sasi e konsiderueshme lënde të parë, por edhe produkt i përfunduar. I gjithë kapanoni në të cilin përfshihen disa mijëra metra katrorë u përpi nga flakët në pak momente.
Zjarri mori përmasa të mëdha, ndërsa tymi i tij dukej deri në qendër të Tiranës dhe zona të tjera përrreth. Punëtorët që ndodheshin në fabrikë u evakuuan nga personeli dhe shërbimi zjarrfikës të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes për të vënë flakët nën kontroll.
Barush Akim, inxhinier i fabrikës tregon momentet e para të zjarrit dhe kritikon shërbimin zjarrëfikës.
"Zjarri ra tek reparti i makinerive të lëndës së parë. Zjarrfikëset erdhën por ishte vetëm një zjarrfikëse nuk kishin as mjete asgjë për të shuar zjarrin".
Por Drejtori i Shërbimit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, thotë se një vit më parë e njëjta fabrikë është përfshirë nga flakët dhe është penalizuar për standardet e sigurisë ndaj zjarrit.
"Kemi vënë flakët nën kontroll, ishte tepër e vështirë për përmasat që ka objekti ta vinim në kontroll me shpejtësi. Ky subjekt është penalizuar edhe vitin e kaluar kur ka rënë zjarri. Ka marrë masat, por masa të tilla nuk mund të përballojnë një nivel të tillë zjarri".
Pas shuarjes së flakëve, pritet të nisë puna për përcaktimin e shkaqeve.
"Po kalojmë në një fazë të shuarjes së tij. Më pas ekspertët do të përcaktojnë shkaqet dhe ne do të shohim çfarë problemesh ka pasur".
Rreth orës 12:00, flakët u vunë nën kontroll, pas shumë përpjekjesh nga 10 automjete zjarrfikëse dhe mbi 50 efektivë që morën pjesë në këtë operacion.