Një fabrikë riciklimi mbetjesh në Kashar është përfshirë nga flakët paraditen e sotme. Zjarri vijon prej orës 10:00 në magazinën e fabrikës ?Everest?, ndërsa janë dëgjuar edhe disa shpërthime të vogla brenda godinës.
Në vendngjarje janë policia, 10 zjarrfikëse nga Tirana dhe Durrësi dhe forcat e Ushtrisë duke punuar për fikjen e zjarrit. E ndërsa edhe godina e dytë e fabrikës së riciklimit është përfshirë nga flakët, dy biznese të tjera, mes tyre një karburant rrezikojnë që të përfshihen nga flakët.
Nuk është vlerësuar një ndërhyrje nga ajri, pasi mund të rrezikohet helikopteri. Në momentin e zjarrit brenda në fabrikë ka pasur punëtorë, të cilët kanë dalë me shpejtësi. Nga zjarri nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme të shumta materiale, pasi magazina është e shkrumbuar plotësisht. Shtullungat e tymit janë aq të mëdha sa janë përhapur në të gjithë kryeqytetin.