Report TV - Tritol automjetit në Fier, lëndohet rëndë drejtuesi

2018-05-14 0

Një automjeti në lagjen "29 nëntori" të qytetit të Fierit i është vendosur një sasi lënde shpërthyese mbrëmjen e sotme, duke alarmuar banorët. Shpërthimi i automjetit tip "Mercedes Benz" me targa AA 270 IV ka ndodhur gjatë kohës kur po dilte nga parkingu, fare pranë qendrës së qytetit.

Drejtuesi i automjetit, Ervin Memo, 38-vjeç, ka arritur të shpëtojë edhe pse shpërthimi ka qenë mjaft i fortë, pasi siç duket edhe nga fotot, makina është shkatërruar dhe dëmtimet më të mëdha i ka në krahun e shoferit. Në momentin e shpërthimit Memo ka qenë duke hipur në automjet.

Dëshmitarë okularë thanë se ai doli vetë nga "Benz"-i, pavarësisht se në drejtim të automjetit në flakë kanë vrapuar menjëherë familjarët e Memos dhe kalimtarë të rastit për t'i dhënë ndihmën e parë. Të afërmit e tij kanë bërtitur me të madhe kur kanë parë se automjeti i u hodh në erë nga shpërthimi.

Mendohet se objektivi ka qenë pikërisht 38-vjeçari dhe autorët kanë tentuar ekzekutimin e tij me tritol në automjet. Nuk dihet ende e kaluara e shënjestrës, por policia po heton si shkak pistën e hakmarrjes.