“Gulf” 313 mije Euro detyrime edhe ne Drejtorinë e Tatimeve

2018-05-14 0

Drejtoria e Tatimeve ka lëshuar një urdhër ku kërkon mos tjetërsimin e pronave të shoqërisë Sun Petrolium Albania, e cila ka tregtuar në pikat e karburanteve naftë nën logon ?Gulf?. Shoqëria rezulton debitore në shumën e 313 mijë Euro ndaj administratës tatimore për taksën e TVSH-së në masën e 190 mijë eurove, ndërsa po ashtu nuk ka paguar detyrime të tatimit në burim dhe kontributeve shoqërore.

Për këto arsye Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka vendosur edhe penalitete e ka dërguar shkresë për shlyerjen e debisë, por sërish firma nuk ka paguar asgjë.

Tatimet kërkojnë të mos lejohet tjetërsimi i pasurive të firmës Sun Petrolium, deri në vjeljen e detyrimeve të saj.

Por mashtrimi i firmës "Gulf" nuk ka ndodhur vetëm ndaj autoriteteve fiskale. Qindra qytetarë kanë blerë javët e fundit tollona naftë me çmime të lira, por sot kanë në dorë vetëm letra pa vlerë. Në mënyrë të mistershme kompania ka mbyllur të gjitha pikat e saj. Zyra qendrore në Laprakë është bllokuar nga policia për shkak të dhjetëra kallëzimeve nga qytetarë e biznese të mashtruar me tollona që sot nuk kanë asnjë vlerë.

Disa pika të saj në kryeqytet sot janë shitur te një tjetër firmë që tregton karburant.

Sipas burimeve nga policia, deri tani vlera e kallëzimeve të bëra arrin shumën e 80 mijë eurove, ndërsa dyshohet që kompania të ketë tregtuar tollona në masën e 1 milionë litrave. Administratori i karburanteve "Gulf" ka njoftuar dorëheqjen në bordin e aksionerëve që prej datës 9 Prill të këtij viti, por edhe përgjatë kësaj periudhe firma ka vijuar të shesë tollona.

Pronarët e vërtetë të kompanisë me firmën Universal Energy Group janë të panjohur, pasi shoqëria rezulton e regjistruar në ishujt Virxhin të njohura si parajsa fiskale.

Tv Klan