Report TV - Këshilli Kombëtar i PD miraton statutin e ri, nuk preket mandati i Lulzim Bashës

2018-05-14 1

Rikthimi i Jozefina Topallit është surpriza e vetme e paketës së ndryshimeve statutore të PD, të cilat u miratuan me unanimitet nga Këshilli Kombëtar, në një mbledhje e cila cila zgjati mbi katër orë. Nuk preket mandati i kryetarit të PD, duke bërë që në tërësinë e tyre propozimet e kritikëve të rrëzohen.

Në mbledhje ra në sy mungesa e ish-kryeministrit Sali Berisha. Që në fillim mbledhja nisi me debate mes Lulzim Bashës dhe kritikëve të tij.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani prezantoi projektin e ndryshimeve, ndërkohë, që në nisje të mbledhjes, Arben Imami, një prej zërave kritikë të Bashës, ka kërkuar bërjen e analizës së humbjes së 25 qershorit, përpara shqyrtimit të ndryshimeve në statut. Gjithashtu, Imami propozoi edhe në statut kufizimin e mandatit të kryetarit.

Këto kërkesa të tij janë kundërshtuar nga kryetari Lulzim Basha, pasi sipas tij ka pasur disa muaj kohë për propozime sa i takon statutit. Propozimet janë hedhur në votë dhe janë rrëzuar me shumicë votash nga anëtarët e Këshillit Kombëtar.

Ndërkohë, një tjetër propozim ka qenë ai i Edvin Kullurit, i cili kërkoi që të shqyrtoheshin edhe draftet alternative në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Kulluri i kërkoi Bashës të merrte në shqyrtim propozimin e tij dhe të Edit?h Harxhit si dhe atë të anëtarit tjetër të Këshillit Kombëtar, Gent Malko.

Pas rrëzimit të propozimeve, Arben Imami dhe Edvin Kulluri kanë braktisur mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD si dhe kanë akuzuar Bashën se po i jep vetes mandat të përjetshëm.