Kastriot Gjuzi, i njohur edhe me emrin Petrit Gjuzi, ka mohuar të jetë ai autori i vrasjes së Mario Majollarit.
40-vjeçari nga Tufina, është marrë dy herë në pyetje nga oficerët e zyrës së hetimit të vrasjeve, për të dhënë shpjegime për krimin. Por pavarësisht kësaj, ai mohoi të kishte lidhje me ngjarjen.
Burime nga grupi i hetimit thanë për Televizionin Klan se kanë prova të pakundërshtueshme se ai është autori i vrasjes së 28-vjeçarit Majollari, pasi deri tani Gjuzi nuk ka paraqitur asnjë alibi bindëse.
Hetuesit thonë se po punojnë për të identifikuar së paku dy persona të tjerë që dyshohet se e kanë ndihmuar Gjuzin pas krimit. Besohet se Gjuzi, ka vepruar i vetëm, por pas krimit ai dyshohet se është ndihmuar nga dy persona të largohej nga vendi i ngjarjes.
40-vjeçari Gjuzi u deportua të mërkurën në mbrëmje nga Policia e Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Ai u ndalua pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin nga Shqipëria drejt Kosovës, pranë Morinës. Me vete iu gjet një kartë identiteti me emrin e tij, nëpërmjet të cilës edhe u identifikua.
Akuza që rëndon ndaj Gjuzit është vrasje për shkak të gjakmarrjes. Babai i viktimës, Avni Majollari i kishte vrarë vëllain Kastriot Gjuzit në vitin 2000.