Report TV - Shkrumbohet BMW-ja luksoze në Durrës, i përkiste drejtorit në bashki

2018-05-14 1

DURRES-Një makinë është djegur gjatë natës në qytetin bregdetar. Ngjarja ka ndodhur në rrugën paralel me Portin, ndërsa makina e djegur është tip BMW X5. Makina i përket punonjësit të bashkisë Adrian Gurra me detyrë drejtor i arsimit dhe kulturës në bashkinë e Durrësit.

Makina ka qenë e parkuar në momentin që është përfshirë nga flakët. Pas sinjalizimit, policia dhe zjarrfikësja kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, por makina është shkrumbuar plotësisht. Nga të dhënat e para nga grupi hetimor i Policisë së Durrësit që është ngritur për ngjarjen, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm.

Pas ngjarjes Adrian Gurra është në marrë në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa ka thënë që nuk ka asnjë lloj konflikti. Ndërkohë që janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit të ngjarjes për të shkuar në gjurmët e autorëve.