Dhjetë ditë pas vrasjes së 28-vjeçarit Mario Majollarit, pranë shtëpisë së tij në Tiranë, policia arrestoi autorin e dyshuar të vrasjes, Kastriot Gjuzin, i njohur edhe me emrin e tij të lindjes Petrit Gjuzi.
40-vjeçari nga Tufina u kap të mërkurën nga policia kufitare në Kosovë, përgjatë kufirit të gjelbër mes Kukësit dhe Vermicës.
Ai po tentonte të futej në Kosovë nga mali, duke shmangur kontrollin, por është pikasur nga policia. Gjuzi ka dhënë një emër të rremë kur është pyetur për gjeneralitetet, por policia i gjeti një kartë identiteti.
Këtu nisën dhe dyshimet dhe pas verifikimit është zbuluar se ai ishte person i shpallur në kërkim për vrasje. Gjatë momenteve të para, ai mësohet se nuk ka pranuar të flasë. Të enjten në mesditë, i shoqëruar me masa të rrepta policie, Kastriot Gjuzi mbërriti në Policinë e Tiranës.