Report TV - Xhafaj në Dibër: Organizimi i ri i Policisë, synon një shërbim më të mirë ndaj qytetarit

2018-05-14 0

Dibra ishte qarku i dytë ku u mbajt Forumi Qytetar për Sigurinë Publike, një format i llogaridhënies së Policisë përballë qytetarëve. Të pranishëm ishin ministri i Brendshëm, ambasadori britanik në Tiranë, deputetë të zonës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qindra qytetarë.

Ministri Xhafaj tha se çështjet e rendit publik nuk duhet t?i ndajnë partitë politike apo njerëzit sipas bindjeve, pasi të gjithë kërkojnë jetë më të qetë. Ai shtoi se për të pasur një qytet të sigurt, duhet të gjithë të bashkëpunojnë me policinë.

Nëse flasim për parandalim, a ka detyra Policia? Absolutisht po. Dhe ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për këtë gjë. Por nëse ndëshkimi është aktiviteti dhe funksioni ynë kryesor, përgjegjësia jonë kryesore, padyshim parandalimi është një përgjegjësi dhe një detyrë për ne, por unë besoj fort që është një detyrë dhe një angazhim jo thjesht dhe vetëm për Policinë, por për të gjithë, për çdo qytetar të këtij vendi. Sepse nga kontributi i çdo qytetari, çdo institucioni, i çdo organizate, i çdo komuniteti ne mund ta mbajmë të frenuar kriminalitetin, mund ta parandalojmë futjen e të rinjve dhe të rejave në rrugën e krimit dhe ta bëjmë më të shëndetshme shoqërinë tonë.

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm