Integrimi ne BE, Mogherini: 5 prioritetet do te mbeten elemente kyçe

2018-05-14 0

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Përfaqësuesja e Lartë e Punëve të Jashtme dhe Politikën e Sigurinë, Federica Mogherini theksoi se rekomandimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë erdhi pas një pune kolektive. Ajo tha se Shqipëria i ka plotësuar kushtet, megjithatë theksoi se rruga përpara do të jetë mbajtja e reformave të ndërmarra.

"Ky ishte rezultat i një pune kolektive. Sa ndryshim kemi bërë të gjithë sëbashku dhe duke qenë një rezultat i përbashkët, mendoj se sot duhet të jetë dita e një njohjeje kolektive. Është një rezultat i të gjitha institucioneve të vendit", u shpreh Mogherini, e cila theksoi se po kështu është një përgjegjësi e përgjithshme për të kryer punën e mëtejshme.

Zyrtarja europiane kujtoi se një vit më parë kishte thënë se rekomandimi pozitiv për Shqipërinë do të vinte me nisjen e Vettingut, gjë e cila ndodhi nga të dyja palët.

Mogherini tha se vlerësimi i Komisionit thotë qartësisht se Shqipëria ka përmbushur kushtet që i ishin vendosur dhe është e gatshme për të çelur negociatat.

"Duke mbajtur dhe duke thelluar reformat që janë ndërmarrë, kjo është puna e mëtejshme", tha Mogherini.

"5 përparësitë kyçe do të mbeten elementet kyçe, mbi të cilat qytetarët shqiptarë do të vlerësojnë kapacitetet e institucioneve", u shpreh ajo më tej.

Mogherini vlerësoi më tej rolin pozitiv të Shqipërisë në rajon, duke u angazhuar në fqinjësinë e mirë, që siç tha ajo, është tejet me rëndësi. Zyrtarja theksoi gjithashtu se Shqipëria është në të njëjtën linjë me Bashkimin Europian kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.

Të martën, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit pa kushte të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke konsideruar se është bërë progres në përmbushjen e pesë prioriteteve kryesore./tvklan.al