Ish-ministrja e Integrimit Europian dhe njëkohësisht deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha në një intervistë për Report Tv është shprehur se si e sheh ajo mundësinë e çeljes së negociatave që priten nga KE për Shqipërinë.
Për disa vite keni qenë pjesë e dikasterit më të rëndësishëm për sa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Tani pritet që nga KE të çelen negociatat për anëtarësim. Jeni e kënaqur me këtë progres-raport?
Unë i kam ndjekur shumë mediat këto ditë, kjo për të parë mënyrën se si do pasqyrohej dhe do të pritej ky progres-raporti i radhës. Me thënë të drejtën, ka qenë pak habi mënyra se si është pasqyruar sepse ky është një rikonfirmim i rekomandimit që është dhënë tashmë që në nëntor të vitit 2016. Do doja ta nisja kështu për të bërë edhe transparencë për publikun e gjerë. Fatkeqësisht në kohën kur është dhënë rekomandimi, ka pasur problematika dhe në vetë Bashkimin Evropian, ku ka pasur hapa prapa, pasi edhe vendet pjesë nuk pranuan çeljen e negociatave. Ky rikonfirmim ishte diçka që pritej. Unë madje e kam thënë shumë herë këto muaj dhe e kam pasqyruar edhe në media sepse ne radhë të parë ka të bëjë edhe më kredibilitetin e vetë Komisionit Evropian. Pra, është vetë ai që e ka dhënë dhe do vazhdojë ta japë përkundrejt vendit, sepse pavarësisht punës që bëhet nga Shqipëria, ka dorë dhe punën e saj edhe Komisioni. Periudha më kryesore në fakt do të jetë qershori, sepse aty do vendoset nëse Shqipëria do çelë negociatat apo jo. Vendet anëtare mund ta shohin me sy pozitiv raportin që do jepet pikërisht nga Komisioni, ose mund të ketë probleme, siç ka zakonisht edhe me vendet e tjera, ashtu siç ka edhe me Shqipërinë. Kështu që, vendimi mund të jetë edhe ndryshe nga ai që është marrë nga Komisioni, por qershori mbetet periudhë për t?u parë. Sigurisht, është vendimi i ministrave të Jashtëm për këtë çështje, por gjithashtu edhe një sërë çështjesh politike që ndikojnë në një vendim që do merret për Shqipërinë. Raporti është pozitiv për sa kohë flet për një rekomandim të mirë për çeljen e negociatave. Unë jam e detyruar ta lexoj më në detaje, duke e parë gjerësisht dhe duke njohur Komisionin Evropian.