Report TV - KE: Lavdërime dhe vërejtje në progres-raportin prej 37 faqe

2018-05-14 0

Komisioni Evropian do të rekomandoje nesër Bashkimit Evropian që të nisë negociatat zyrtare për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Report TV ka siguruar dokumentin ekskluziv të raportit të Brukselit. Në vlerësimin e saj, KE-ja gjykon se Shqipëria ka bërë një progres gjithëpërfshirës, që nga lufta kundër narkotikëve, e deri te sistemi i gjyqësorit, pa harruar çështje jetike si pronat dhe të drejtat e pakicave.

Sipas Komisionit, hapja e negociatave është e domosdoshme që thellimi i reformave të vijojë me ritmin e kënaqëshëm në të cilin ndodhet.

Pjesë nga raporti i KE-së për Shqipërinë:

Shqipëria ka vijuar të bëjë një progres të qëndrueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Reforma e administratës publike u konsolidua, me një përforcim të dukshëm të profesionalizmit dhe depolitizimit. U ndërmorën veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht përmes avancimit në zbatimin e një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi. Kjo përfshin rezultatet e para të prekshme në rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingun), me dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë, dhe në dëgjesat e para që sollën shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese si dhe konfirmimin në detyrë të një tjetër gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese.

Luftë e vendosur kundër trafikut të drogës
Përpjekje të mëtejshme më të vendosura u ndërmorën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi ato në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj, që kontribuan në ndërmarrjen e disa hetimeve proaktive, si dhe të arrestimeve dhe dënimeve. U morën masa të mëtejshme për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut, përfshi personat që u përkasin pakicave si dhe komunitetit rom, si dhe politikat anti-diskriminim, ashtu sikurse edhe zbatimin e të drejtave të pronës.

Hapja e negociatatave që progresi të vijojë
Në kuadër të progresit të arritur, Komisioni rekomandon që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë, duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformave në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, në mënyrë të veçantë, në të gjitha pesë prioritetet kyçe dhe të rezultateve të vazhdueshme dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingu), pasi do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave lidhur me drejtësinë, të drejtat themelorë dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.

Free Traffic Exchange