Një ditë pas zbulimit të letrës që Adriatik Llalla i kishte drejtuar Kongresit amerikan, ku thuhej se Donald Lu i ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës, ambasadori i SHBA në Tiranë ka shkuar në zyrën e kreut të shtetit këtë të enjte.
Sipas presidencës fokusi i bisedës mes Lu dhe Metës ka qenë te marrëdhëniet dypalëshe si dhe ecuria e Reformës në Drejtësi. Interesit të mediave lidhur me takimin e sotëm mes Presidenti Meta dhe Ambasadorit Lu, Drejtori i Kabinetit të Presidentit Arben Cici u shpreh:
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri Donald LU me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbi çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, çështjes së rëndësishme të hapjes së negociatave u nënvizua rëndësia e ecurisë dhe implementimit të reformës në drejtësi dhe u shkëmbyen mendime rreth situatës aktuale në vend. Fryma e përzemërt, miqësore dhe bashkëpunuese karakterizoi, ashtu si gjithmonë, këtë takim.
Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Arben Cici
Ky takim vjen pikërisht vetëm disa orë pasi mediat publikuan letrën e ish-kryeprokurorit ku denonconte ambasadorin amerikan për presione në ushtrimin e detyrës së tij si Kryeprokuror i Republikës dhe që për më tepër i kishte kërkuar të prangoste kryetarin e atëhershëm të Kuvendit dhe të LSI-së.
"Për më tepër, në një mënyrë jo-diplomatike dhe kundër çdo norme të garantuar nga Konventa e Vjenës, ambasadori Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm se duhet të arrestonte Kryetarin e Parlamentit dhe gjithashtu kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta", thuhet në letrën e Llallës.