Në Rinas ka mbërritur një avion me 30 shqiptarë të deportuar nga Franca dhe Belgjika. Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, gjatë një pronocimi për median theksoi se Policia e Shtetit, edhe për vitin 2018, do të vijojë zbatimin e masave shtesë për parandalimin e fenomenit të azilkërkimit.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se si rezultat i bashkëpunimit dhe koordimimit me Frontex dhe policitë homologe, është bërë e mundur që nga 1 janari deri në 10 prill 2018 të deportohen 4492 shqiptarë të parregullt, nga vendet e BE-së.
"Ndërkohë, që prej gushtit 2017, vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin e këtij fenomeni, dhe në këtë kuadër, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, nuk janë lejuar të kalojnë të gjithë ata shtetas që nuk përmbushnin kushtet për të udhëtuar në zonën Schengen.
Po në kuader të masave parandaluese, gjatë kësaj periudhe janë proceduar 80 shtetas shqiptarë që kanë tentuar të kalojnë kufirin me dokumenta të falsifikuara", thuhet në njoftim.
Masat janë forcuar edhe në kufirin jeshil, ku si rezultat i patrullimeve janë kapur rreth 700 shqiptarë që kanë tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.
Policia e Shtetit shprehet e vendosur që të zbatojë me rigorozitet masat shtesë, deri në parandalimin e fenomenit të azilkërkimit./tvklan.al