Report TV -Sezoni turistik, asnjë masë për evitimin e ujërave të zeza në plazhin e Durrësit

2018-05-14 0

Bashkia e Durrësit po përgatitet për sezonin turistik dhe në kuadër të tij është zhvilluar një takim i zgjeruar në prefekturë. Ndonëse sezoni turistik nis në muajin qershor, institucionet e ndryshme që operojnë në Durrës janë vënë në lëvizje për të marrë masa në mënyrë që sezoni turistik të mos ketë probleme.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori i projekteve në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit Albin Gega. Ai është shprehur se nisur nga vendimet e këshillimit të ministrave të miratuara për mbarëvajtjen e sezonit turistik, puna duhet të fokusohet tek eliminimi i ndotjes akustike dhe garantimi i sigurisë së jetës në plazhe.

Në lidhje me menaxhimin e vijës bregdetare, bashkia e Durrësit është përgjegjëse për mbarëvajtjen e sezonit turistik nga Kepi i Rodonit deri tek Shkëmbi i Kavajës. Por pikërisht në këtë pjesë është një kanal i cili hedh vazhdimisht ujëra të zeza, ndërsa për të nuk ka asnjë plan për t'u bërë evitimi i tyre.

Siç shikohet edhe nga pamjet ujërat e zeza dhe mbetje të ndryshme vijojnë të dalin në det duke kontaminuar të gjithë zonën. Për këtë problem i cili është i përvitshëm deri tani nuk ka asnjë përgjigje nga Bashkia e Durrësit.