Banka Botërore nuk ka asnjë vlerësim se si do të ndikojë në biznesin vogël me xhiro mbi 2 milionë Lekë në vit, përfshirja në zinxhirin e tatimit mbi vlerën e shtuar, por ka një tjetër shqetësim.
"Shqetësimi jonë është nëse barra e kontrollit të administratës bëhet më e madhe tani që hyn në këtë skemë edhe biznesi i vogël dhe ka më pak mundësi për t'u marrë me tatimpaguesit e mëdhenj".
Por si konsulente e qeverisë për rrugët me pagesë, Banka Botërore i qëndron mendimit se tarfiat janë të domosdoshme për mirëmbajtjen e tyre, por po ashtu duhet parë edhe një zgjidhje për banorët përgjatë këtyre akseve.
"Në idenë e pagesave për rrugët? Ne na duhen tarifa për të mirëmbajtur rrugët, por ju duhet po ashtu të shihni edhe se çfarë zgjidhje mund të jepni për banorët që jetojnë në atë zonë. Pagesa e zgjedhur (në rrugën Milot- Morinë) është rreth mesatares së rajonit dhe sipas analizës së trafikut pagesa duhet të mblidhet në një vend të vetëm".
Banka Botërore ndan të njëtin qëndrim me Fondin Monetar Ndërkmbëtar sa i përket rreziqeve që vijnë nga projektet në partneritet me privatin, menaxherja e zyrës për Shqipërinë njoftoi se është duke punuar në një program asistence me Fondin për këtë çështje.
"Në Shqipëri ne na duhet të forcojmë transparencën në projektet PPP. Cila është strategjia që qeveria ka për prioritetet e saj? Ata po ashtu duhet të forcojnë mënyrën se si i asistojnë PPP, dhe të vendosin se cilin investim duhet të bëjnë e në cilat fusha. Ministria e Financave duhet të ketë një rol më përfshirës në këtë proçes".
Për vitin 2018-të Banka Botërore parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike për Shqipërinë në nivelin 3.6%, për shkak të mbylljes së punimeve nga gazsjellësi transadriatik dhe hidorcentrali i Devollit. Për 2017-ën vendi ynë pati një nga rritjet më të mëdha në rajon bashkë me Kosovën dhe Malin e ZI. Në vlerësimet e saj Banka nënvizoi se borxhi publik ka marrë trajektoren rënese dhe se ekonomia ka shtuar punësimin.