Policia identifikoi si autor të vrasjes së Mario Majollarit, Petrit Gjuzin, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Ky i fundit më parë është njohur edhe me emrin e tij të lindjes, Kastriot.
Policia klasifikoi atentatin, si gjakmarrje, për shkak se babai i Mario Majollarit, Avni Majollari, në vitin 2000 ka vrarë vëllain e Petrit Gjuzit, Ilir Gjuzin. Në të njëjtën ngjarje, kishte mbetur i vrarë edhe Armand Nela, kushëri i ish - gruas së Avni Majollari.
Pas ngjarjes së ndodhur vetëm 20 metra larg pallatit ku banonte Majollari, policia kreu kontrolle në më tepër se 15 banesa në zonë e Tufinës dhe Dajtit. Fakti që ai nuk është gjetur në banesë, konflikti i hershëm me babain e Majollarit, si dhe fakti që ka mbyllur telefonin duke tentuar t?i shmanget drejtësisë, sipas policisë janë dyshime të forta se Kastriot Gjuzi, është autori i vrasjes së 28-vjeçarit.
Fqinjë të të riut thonë se nuk e kanë parë autorin, ndërsa shprehen të tronditur nga ajo që ka ndodhur.
Edmond Nela, është daja i Marjo Majollarit. Gjatë një bisede ai pohoi se nipi i tij kishte vetëm pesë ditë që ishte kthyer nga Suedia, ku kishte kërkuar azil pasi i ishte rrezikuar jeta.
Por sipas tij, qeveria suedeze kishte marrë garanci nga shteti shqiptar së në vendin tonë Majollari e kishte jetën të sigurt. Vetëm pesë ditë pas kthimit në vendin tonë, 28-vjeçari u ekzekutua pranë shtëpisë së tij në zonën e ish-Kinostudios në Tiranë.