Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva, rrezikon të bjerë në ?rrjetën? e Vettingut, pasi nuk justifikon burimin e pasurisë së tij. Nga hetimet e kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rezultuar se gjyqtari Trezhnjeva ka gënjyer për një kredi prej 50 mijë euro për të blerë apartament.
Sipas dokumenteve të KPK, rezulton se kredia ka kaluar në llogari të një kompanie ndërtimi në Durrës. Gjithashtu, Besim Trezhnjeva ka një apartament banimi në Tiranë 96 m2, apartament të përshtatshëm për aktivitet tregtar me sipërfaqe 65 m2 po në Tiranë, për të cilat nuk ka deklaruar burim të ardhurash, si dhe një apartament 142 m2.
Në seancën e sotme për rivlerësimin e gjyqtarit, KPK lexoi raportin e ILDKP, ku thuhet se deklarimet e Trezhnjevës janë të pasakta, pasi ai nuk ka burime për të justifikuar pasurinë, ka fshehur pasurinë dhe ka kryer deklarim të rremë.
Deri në këtë fazë të hetimit, trupa gjykuese e KPK ka vlerësuar se ky është një kriter i mjaftueshëm për të proceduar subjektin. Trupa gjykuese përbëhet nga Alma Faskaj, Firdes Shuli dhe Roland Ilia, të cilët do të kalojnë në ?sitën? e Vettingut pasurinë e gjyqtarit Trezhnjeva.