Report TV - Raporti në Kuvend, Guvernatori i BSH tregon arsyet e forcimit të lekut

2018-05-14 0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar sot Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Sejko ka deklaruar se viti 2017 ka qenë pozitiv, pasi u krijuan 79 mijë vende të reja pune, ndërsa ekonomia shqiptare u rrit me 3.8%.

Sipas të dhënave të INSTAT-it: ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% në terma vjetorë dhe krijoi rreth 79 mijë vende të reja pune në sektorin privat jobujqësor; norma e papunësisë dhe deficiti i llogarisë korrente u reduktuan; ndërsa, inflacioni erdhi në rritje. Paralelisht me zhvillimet në sektorin real, normat e interesit në tregjet financiare mbetën të ulëta dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar erdhën në përmirësim. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2% në fund të vitit, një reduktim ky prej rreth 5 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Të gjithë këta indikatorë tregojnë një përmirësim të pozicionit ciklik të vendit dhe ofrojnë sinjale inkurajuese për perspektivën e rritjes ekonomike në të ardhmen.