Projekti i Teatrit, Asqeriu: Të interesohen të gjithë, është i nevojshëm mendimi alternativ

2018-05-14 0

Aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu në një intervistë për Report Tv shpreh gatishmërinë e tij por edhe të artistëve për të debatuar me kryeministrin Edi Rama në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Ai shprehu entuziamin për projektin e prezantuar nga grupi i arkitektëve Vladimir Bregu, Drilon Zaimi dhe Ejona Belegu ditën e djeshme si dhe dha një mendim për projektin e prezantuar nga arkitekti danez në kryeministri. Në lidhje me takimet e një përfaqësi artistësh me partitë opozitare, Asqeriu deklaron se për këtë çështje duhet të interesohen të gjithë dhe se është i nevojshëm mendimi alternativ.

Ndër të tjera, aktori i njohur sqaroi për Report Tv takimin e zhvilluar më 14 shkurt në Ministrinë e Kulturës me ministren Kumbaro dhe pse nuk ishte në teatër si pjesa më e madhe e artistëve. Asqeriu rrëfen edhe lidhjen e tij me teatrin, si e mendon ai drejtimin e institucionit më të rëndësishëm teatror dhe punët e tjera që është detyruar të bëjë duke kuptuar kështu vlerën e Teatrit. Për më shumë shikoni dhe lexoni intervistën e plotë.

Asqeriu sapo ka mbaruar prezantimi i projektit nga ana e artistëve këtë herë. Si ju duk ai projekt?
Pata një emocion të veçantë, jo vetëm më pëlqeu se mund të paraqiten dhe projekte të tjera po aq të bukura sa ai i sotmi por u emocionova se kjo është një ndjenjë qytetare, një ndjenjë dashamirëse, një ndjenjë përgjegjësie e qytetarëve e arkitektëve tanë. Dhe mua kjo më emocionon, Teatrin e duam të gjithë, për teatrin janë gati të kontribojnë të gjithë. Në këtë sens më pëlqeu ajo arkitekturë e bukur moderne në mes të kësaj arkitekture të vjetër të teatrit që mbart atë historinë, mbart ato emocionet për të cilat folëm dhe krijohet një kontrast jashtëzakonisht të bukur. Jo më kot, në Londër kur kam qenë Teatri i Shekspirit është Teatri i Shekspirit siç ka qenë para 600 vjetësh. Ndonjëri mund të thotë ?Po çne që e krahason Shekspirin me historinë e teatrit tonë?. Po ne këtë kemi, këtë histori kemi, të mbajmë e të vlerësojmë këtë që kemi. Të mos bëjmë sikur nuk ka ekzistuar asnjë aktor, regjisor, asnjë skenograf, piktor më përpara nesh. Jo, ata kanë ekzistuar dhe fryma e tyre është këtu, talenti i tyre është këtu. Dhe për këtë ka nevojë edhe spektatori i sotëm. Jam i sigurt se kjo ngrehinë mund të mermetohet, jo vetëm si kujtesë por edhe mund të vazhdojë funksionimin e vetë.