Aplikimi i TVSH-së, përçahet biznesi i vogël dhe i mesëm, një pjesë nuk ulin qepenat

2018-05-14 0

Në Tiranë biznesi i vogël mbylli qepenat për një orë në shenjë proteste kundër përfshirjes në skemën e TVSh-së. Në aksion u përfshinë pjesa më e madhe e bizneseve të vogla që veprojnë në tregjet në Tiranë, por pati biznese që nuk u bashkuan me protestën. Tregtarët thonë se nuk përballojnë dot taksat dhe përfshirjen në TVSH, pasi ka rënë fuqia blerëse e rrjedhimisht edhe fitimet e tyre.



Biznesi i vogël dhe i mesëm ka protestuar këtë të martë,për një orë, kundër përfshirjes në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por jo të gjithë bizneset kanë ulur qepenat.

Tregtarët e Tregut Elektrik në kryeqytet janë përçarë, duke bërë që një pjesë të mbyllnin aktivitetin për një orë, ashtu siç ishte paralajmëruar, ndërsa një pjesë tjetër kanë vijuar aktivitetin e tyre të përditshëm.

Një nga tregtarët, thotë se përfshirja në skemë i çon ata drejt falimentimit.

Biznes i vogël: Ne falimentojmë fare. Ja ku e ke dyqanin, e ke të mbyllur. Ne do paguajmë më shumë 3-fish taksa. Nuk mundemi.

Të pranishëm në tregun elektrik, në mbështetje të biznesit, kanë qenë edhe disa deputetë demorkatë si dhe përfaqësues të kësaj partie në Këshillin Bashkiak, të cilët kanë deklaruar, se bizneset ndjehen të kërcënuara, pasi dikasteret qëndrore mund të ndërmarin ndonjë aksion për gjobitjen e tyre.

Valentina Duka, deputete e PD: Aktin e kanë bërë. Ata iu bashkuan njëri-tjetrit, por nuk flasin dot para kamerave. Vetë heshtja e biznesit tregon se ata janë nën presion. Kjo është e vërteta.

Debate ka pasur edhe mes deputetëve dhe tregtarëve, ku këta të fundit i kanë akuzuar se po i përdorin politikisht.

Halim Kosova, deputet i PD: Partia Demorkatyike nuk ka detyruar asnjë të mbyllë apo hapë biznesin. Kjo ëhstë një iniciativë e Shoqatës së Biznesit dhe ne po i mbështesim. Secili reagon sipas mënyrës së vet, por kur ka ndonjë favor në dorë, nuk flet. Kjo është zgjehdja e tyre.

Protesta e nisur nga ora 11:00 vijoi deri në orën 12:00, kohë kur bizneset që ulën qepenat, rifilluan punën.

Protesta e biznesit në kryeqytet është mbajtur edhe në tregun Çam, Tregun Ushqimor, Rrugën e Kavajës dhe në Rrugën e Durrësit.