Mbyllen bizneset ne kryeqytet, proteste kunder TVSH-se

2018-05-14 3

Bizneset e vogla kanë ulur qepenat për 60 minuta nga ora 11:00 deri në orën 12:00 në shenjë proteste kundër TVSH-së që hyri në fuqi më 1 Prill.
Këto pamje që shikoni përcjellin situatën në Tregun Ushqimor në Kombinat. Të gjitha dyqanet janë mbyllur për 1 orë. Protesta e tyre është mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike, të cilët kanë dalë në terren.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku, thotë se do të qëndrojnë në krah të biznesit të vogël, dhe ka akuzuar Qeverinë se po rrit taksat.
"Një qeveri që dhunon sipërmarrjen përmes taksave të larta nuk është më një qeveri e shumicës së qytetarëve, por e një pakice që përpiqet të imponohet me dhunë. Sot jemi në krahun e atyre që vendosin lirinë e tyre dhe të sipërmarrjes së lirë mbi dhunën arbitrare të një pushteti gati diktatorial", thotë deputetja Tabaku.
Bizneset të tjera janë mbyllur edhe tek tregu elektrik, tregu çam si dhe në qytete të tjera të vendit.