Tre persona u gjetën të pajetë pasi automjeti me të cilin udhëtonin përfundoi në këtë kanal me ujë pranë fshatit Varibop në aksin Fier - Tepelenë. Trupat e tyre u gjetën rreth orës 09:00 nga banorë të zonës që më pas njoftuan policinë.
"Një banor i fshatit i pa dhe lajmëroi tha një i mbytur dhe u futëm bashkë i nxorrëm".
Viktimat janë drejtuesi i mjetit Fisnik Murataj 32 vjeç, kushëriri i tij Agustin Murataj 30 vjeç dhe shtetësja franceze Noza Ahamout 34 vjeçe, e fejuara e Fisnik Muratajt.
Mjeti tip Suzuki me targa greke dyshohet se doli nga rruga gjatë natës, teksa tre personat po ktheheshin nga një dasëm në Fier. Vonesa e mbërritjes për në fshatin Kutaj të Ballshit shqetësoi familjarët, të cilët mësuan gjatë paradites për aksidentin tragjik.
Drejtuesi i automjetit, Fisnik Murataj dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit, çka ka bërë që ai të humbte kontrollin e makinës. Automjeti bëri disa rrotullime përpara se të përfundonte në kanal, ndërsa mbetet e paqartë nëse vdekja e tre personave që ndodheshin në të ka ndodhur nga përplasja apo mbytja në kanal. Viktimat mësohet se ishin emigrantë në Greqi dhe pas dasmës do ktheheshin në vendet e tyre të punës.