Kërkesat e Turqisë për të larguar mbështetësit e Fehtullah Gylenit janë intensifikuar edhe ndaj Shqipërisë. Ndonëse në Kosovë beteja është më e ashpër dhe Erdogan ka nxehur tonet edhe publikisht, në Shqipëri trysnia e Turqisë po ndjehet mes dy qarqeve të kundërta dhe nën zë.
Po kush janë ?gylenistët? shqiptarë?
Një burim diplomatik i tha Report TV se njeriu më i lartë i shënjestruar është kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj. Nga Turqia, drejtuesi i myslimanëve të Shqipërisë konsiderohet pjesë e organizatës FETO, e cila për Erdoganin është organizatë terroriste.
Burimi i tha Report TV se largimi i kreut të KMSH-së kërkohet më këmbëngulje, por shqetësim ngelet e gjithë situata në KMSH, pasi edhe në kryesinë e Komunitetit, shumica e anëtarëve i përkasin grupimit gylenist.
Skënder Bruçaj shihet si shqetësim nga qeveria e Erdogan për shkak të ndikimit që ka mbi gjithë sistemin fetar në Shqipëri, por jo vetëm kaq. Sipas të dhënave që Ankaraja i ka përcjellë Tiranës, Bruçaj ka vendosur të financojë me paratë e Komunitetit Mysliman një prej shkollave të larta private në Tiranë, pjesë e rrjetit të Fetullah Gylen.
Pikërisht në këtë pikë shqetësimi turk bëhet më i lartë. Sipas të dhënave të siguruara nga burimi diplomatik, presioni tjetër veç kreut të KMSH-së, është në sistemin arsimor. Bëhet fjalë për dy universitete private në pronësi të rrjetit gylenist që operojnë në Tiranë, të cilat për Erdoganin janë pjesë e rrjetit terrorist FETO dhe që qeverisë shqiptare i sinjalizohen si kërcënim për sigurinë.
Përveç tyre, konsiderohen si nën kontroll nga kundërshtari i Erdoganit edhe tre Medrese, ajo e Tiranës, e Korçës dhe e Kavajës që administrohen nga fondacione gyleniste dhe në to punojnë persona që i përkasin këtij rrjeti.