Çështja e arrestimit të ish-kreut të Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika, i akuzuar për abuzime në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan shkon në Gjykatën e Lartë. Avokatët e ish-zyrtarit të rrugëve kanë dorëzuar rekursin ku kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg, marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në 4 Shkurt dhe konfirmuar nga Apeli në 27 Shkurt.
Mbrojtësit e Xhikës thonë se provat e Prokurorisë nuk janë të mjaftueshme për ta mbajtur në qeli. Sipas tyre, Xhika ka marrë detyrën 3 vite pasi ishte nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e autostradës, nuk ka asnjë mundësi të prishë provat, apo të ndikojë tek dëshmitarët.
Lirinë në Gjykatën e Lartë e kërkojnë edhe dy ish-vartësit e Xhikës, Aksel Qurduka dhe Albens Alite. Këta akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 37 milionë dollarësh. Këto para janë përfituar më pas në mënyrë të paligjshme nga këta persona dhe të tjerë, të cilët po hetohen për akuzën e korrupsionit. Sipas prokurorisë, këta ish-zyrtarë kanë bërë amendime dhe ndryshime në kontrata duke sjellë si pasojë shtyrjen e afateve të punimeve.
Për këtë çështje janë pyetur në Prokurori edhe dy ish-Ministrat e Transportit, Edmond Haxhinasto dhe Sokol Dervishaj.