PS: Protestat e opozitës në kohën e gabuar

2018-05-12 0

Protestat e opozitës, që u shoqëruan me bllokim të disa akseve kombëtare, si shenjë e kundërshtive për vendosjen e tarifës prej 5 Euro për qarkullimin në Rrugën e Kombit, mazhoranca i sheh në kohën e gabuar. Taulant Balla thotë se synimi i vetëm i opozitës është t'i bëjnë keq Shqipërisë në prag të rekomandimit të KE, për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

"Sot koifiçenti i lumturisë matet me sa mund t'i bëjë keq Shqipërisë. Detyra jonë është të vazhdojmë t'i bëjmë mirë Shqipërisë. Edhe pak ditë, pavarësisht tymit të gomave, çizmeve, klithmave, ne do të kemi mundësi që më 17 Prill të marrim një lajm të mirë për Shqipërinë, që është rekomandimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë".

Pritshmëritë e qeverisë për të marrë një vlerësim pozitiv nga progres raporti i 17 Prillit i KE, i ka artikuluar dhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili i kërkon opozitës të reflektojë, pasi çelja e negociatave nuk i vlen vetëm Edi Ramës, por vendit.

"Kemi një ndryshim qëndrimi me opozitën, por nuk është hera e parë. Shpresoj t'i rikthehen rrugës së arsyes. 17 Prilli është një moment i rëndësishëm, jo për qeverinë Edi Rama, jo për opozitën, por është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Ne mendojmë se Komisioni Europian do të propozojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, çka do të ishte një sukses për Shqipërinë dhe shqiptarët".

Qëndrimet e tyre, Kryetari i Grupit Parlamentar Balla dhe Ministri Bushati i bënë publike në takime me strukturat e Partisë Socialiste në Elbasan dhe Shkodër, ku kanë nisur edhe pse jo zyrtarisht punë për fushatën zgjedhjet vendore të 2019.