Gjykata e Lartë rikthen edhe njëherë dosje të rëndësishme për hetim dhe gjykim te Krimet e Rënda. Burime të Tv Klan sqarojnë se në një vendim unifikues të marrë të mërkurën janë përcaktuar qartësisht kompetencat e Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Një Kolegj Penal i përbërë nga 5 anëtarë ka vendosur t'i japë kompetencat e Gjykatës Speciale Antikorrupsion Krimeve të Rënda dhe i ka hequr disa kompetenca të tjera. Sipas vendimit, të gjitha dosjet që janë regjistruar para datës 1 Gusht 2017 do të vazhdojnë të hetohen dhe gjykohet nga Krimet e Rënda. Ndërsa dosjet penale të regjistruara pas kësaj date do të dërgohen Gjykatave dhe Prokurorive të rretheve.
Vendimi i një dite më parë rrëzon atë të marrë 2 jave më parë për shkak të krijimit të disa anomalive në sistem. Gjatë dy javëve, Krimet e Rënda shpallën moskompetencë për rreth 30 dosje duke ua deleguar rretheve. Mes tyre edhe çështje të rëndësishme për trafik droge apo krime në familje. Tashmë ato priten të rikthehen përsëri pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda.