Për më shumë se dy orë opozita protestoi duke bllokuar disa prej akseve kryesore në vend. Protestuesit e Tiranës, Durrësit e Krujës u mblodhën në Vorë.
Pak minuta më vonë qytetarët bllokuan të dy krahët e autostradës Tiranë ?Durrës dhe rrugët dytësore iu bashkua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës.
Për t?u takuar me protestuesit që ndodheshin në krahun tjetër Lulzim Bashës iu desh të kapërcente trafikndarësen.
Karvani i makinave që u bllokuan si pasojë e protestës së opozitës arriti në disa km.
I njoftuar për qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në lidhje me favorizimin e banorëve të Kukësit, Basha prerazi i kujtoi vijën e kuqe të panegociueshme për të.
?Liro kuksianët, hiq fare taksën e Rrugës së Kombit?..?
Ndërsa protesta e Vorës shkoi paqësisht dhe në të u vunë re vetëm dy apo tre efektivë policie, në Bradashesh e Milot pati konfrontime nga ana e protestuesve me uniformat blu.
Nuk munguan as djegiet e gomave.
Bllokim të qarkullimit rrugor pati edhe në rrethrrotullimin e Çermës. Edhe ketu trafiku u paralizua per 2 orë.
Mosbindja civile e nisur nga opozita me bllokimin e disa akseve kryesore rrugore në orën 10 përfundoi pak minuta pas mesditës. Protestuesit u shpërndanë pas fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në autostradën Tiranë - Durrës, në afërsi të Vorës dhe njëkohësisht edhe nga rrugët e tjera në Elbasan, Milot e Lushnje, duke lejuar me ne fund qarkullimin e automjeteve.
A do të ketë bllokime të tjera të kësaj forme në ditët e ardhshme? Sipas kryetarit te Partisë Demokratike ky është vetëm fillimi dhe këtë do ta vendosin qytetarët.