Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, ka kaluar me sukses procesin e Vettingut, pasi ka rezultuar e pastër sa i përket pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin final për gjyqtaren Tusha, duke e cilësuar atë të 'pastër' dhe duke e lejuar të vijojë detyrën në Kushtetuese.
Vitore Tusha është gjyqtarja e parë që kalon procesin e Vettingut. Pak javë më parë, në 'rrjetën' e Vettingut kaloi gjyqtari i Kushtetuese, Fatos Lulo, i cili u shkarkua nga KPK.
Vetingu "dogji" gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, i cili nuk justifikonte pasurinë prej rreth 500 mijë dollarë, ndërsa argumenti i tij se ia kishte dhuruar motra nuk u mor në konsideratë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Pritet që gjyqtari i radhës, i cili të kalojë përpara KPK-së të jetë kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.