Gjykata le ne fuqi masen “arrest shtepie” per Fran Frrokaj, pa mbikeqyrje policore

2018-05-12 2

Fran Frrokaj kryetari i Bashkisë së Lezhës do të vazhdojë të qëndrojë në masën e sigurisë arrest shtëpie, por pa mbikqyrje policore. Gjykata e Apelit te Shkodrës ka vendosur të heqë efektivët nga dera e banesës së qytetarit të parë të Lezhës pasi nuk rrezikon ikjen. Frrokaj me anë të avokati të tij kishte kërkuar masën e sigurisë detyrim parqitje, gjë e cila u refuza nga togat e zeza.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës ka qenë i pranishëm në sallë ku edhe njëhere ka hedhur poshtë akuzën e shpërdorimit të detyrës ngritur nga Prokuroria. Sipas tij, ai nuk ka asnjë përgjegjësi penale për tjetërsimin e 234 mijë metrave katrore tokë në plazhin e Ranës së Hedhun. E njëjta masë sigurie u caktua edhe për kreun e Qarkut të Lezhës, Gjok Ndoka dhe zv.kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti Enver Hafizi. Neshat Fana, avokati i Frrokajt, paralajmëroi se vendimit do t'i bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi klienti i tij duhet të ushtrojë funksionin si kryetar i Bashkisë së Lezhës.

"Ju bëj me dije se kontestoj qëndrimin e prokurorit, tha të pavërteta dhe përdori gjuhë jo ligjore. Përdori zhargon mediatik, duke lëshuar hipoteza për gjyqtarin duke thënë se ndërroi vendimin pas 3 ditësh. Fran Frrokaj nuk kishte dijeni mbi falsifikim pasi janë struktura të tjera që bëjnë verifikimin dhe dokumentet në zyrën e tij janë të firmosura nga institucione të tjera. Nuk ka vepër penale".

Sipas hetimeve të Prokruroisë së Lezhës, 23 persona për të cilët u kërkua arrestimi kanë tjetërsuar mijëra metra katrorë tokë në zonën turisike të Ranës së Hedhun. Policia arriti të arrestojë 14 persona ndërsa 9 të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim. Të vetmit që ndodhen në qeli janë juristi i Bashkisë Ardenis Haxhia dhe Enkelejd Zefi, specialist hartograf pranë Hipotekës së Lezhës.