Trafiku i 10 ton kanabis nga Durresi ne Itali/Vazhdon “ping-pongu” mes prokurorive per hetimin

2018-05-12 1

Kapja e 10 ton kanabis në Itali dhe arrestimi i 18 punonjësve të policisë dhe doganave, pasi lejuan kalimin e drogës nga porti i Durrësit ishte një ndër aksionet me të suksesshme të Prokurorisë së Krimeve të Rënda , një vit më parë. Por duket se hetimi ka hyrë në ngërç, pasi vazhdon "ping-pongu" mes prokurorive për dosjen. Në këtë aksion të Prokurorisë për Krimet e Rënda u arrestuan 11 punonjës të portit dhe doganës në Durrës, 4 doganierë në Qafë-Thanë dhe tre punonjës së doganës së kryeqytetit.

Sipas Krimeve të Rënda mes punonjësve të policisë dhe doganierëve kishte një formë të organizuar bashkëpunimi për kalimin e automjeteve me drogë nga Shqipëria në Itali. Por Krimet e Rënda disa muaj më vonë shpallën moskompetencë, pasi nuk u provua përfshirja e zyrtareve te doganës dhe policisë në grupin kriminal duke e kaluar dosjen në Durrës. Të gjithë zyrtarët u akuzohen vetem për shpërdorim detyre.

Por Prokuroria e Durrësit vendos t?ia riktheje përsëri çështjen Krimeve të Rënda pasi sipas saj ka prova se kemi të bëjmë me një grup kriminal. Sipas hetimeve këta persona kanë lejuar kalimin e të paktën 10 toneve kanabis me kamion drejt Italisë në dy raste. I pari lidhet me kapjen ne Ankona në 5 Shkurt të 2017 të një kamioni me 8.8 ton kanabis i futur në Shqipëri nga Maqedonia. Ndërsa ngarkesa e dytë prej 2.2 ton kanabis u sekuestrua në 24 Mars të vitit të kaluar. Por përveç policisë dhe doganiereve, prokuroria nuk arriti të zbulojë organizatorët e këtij trafiku dhe të arrestuarit e vetëm të grupit janë shoferët e kamionëve.