REPORT TV siguron pamjet ekskluzive të sulmit dhe djegies së sporteleve dje në tubimin e organizuar në Rrugën e Kombit në Kalimash që degjeneroi në dhunë. Në pamje duket momenti kur kanë filluar të mblidhen protestuesit e parë e deri kur rreth 200 të tillë qëndrojnë para kordonit të policisë i cili është pozicionuar para traut dhe sporteleve ku mblidhen paratë.
Protestuesit të mbledhur nga Kukësi, Tropoja, Hasi, por edhe shqiptarë nga Kosova pas bllokimit të qarkullimit të makinave nga të dy senset e rrugës u përleshën me policinë, e cila në momentin që ngjarja precipitoi u tërhoq. Pas tërheqjes së efektivë të FNSH, protestuesit morën gjithçka që kishin përpara duke bastisur, thyer dhe shkatërruar sportelet e kompanisë koncesionare.Në pamjet ekskluzive, mbi 10 orë që ka siguruar REPORT TV duken protestuesit, njëri me kaskë mbrojtëse në kokë, kur futen me dhunë në kabinat ku parashikohet që të paguhet bileta për të kaluar në Rrugën e Kombit. E ndërsa një nga punonjësit e kompanisë duke ndjerë rrezikun merr një pajisje dhe largohet me shpejtësi, njëri nga efektivit e policisë tenton që të largojë protestuesit, por këta të fundit thyejnë kompjuterët dhe pajisjet e tjera të kompanisë me varre dhe hekura.